Doktor i Shkencave Ermir Nika, veprimtarinë e tij profesionale e ka shtrirë në disa fusha të rëndësishme si sa i përket krijimtarisë artistike, ashtu edhe në drejtim të studimit dhe kërkimit shkencor. Në vitin 2016 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave Filologjike me temën: “Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe, ndërsa në vitin 2005 ka kryer studimet pasuniversitare për titullin Master në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Histori – Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi. Studimet e larta, në degën e gjuhës dhe të letërsisë do t’i përfundonte në vitin 2000 pranë Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Ermir Nika është autor i një sërë veprash me karakter letrar e studimor ku do të përmendim: “Robi i lartësive”, roman, botim i vitit 2020 nga Shtëpia Botuese Fan Noli “Kuarteti bohem”, poezi, botim i vitit 2017 nga Shtëpia Botuese Ombra GVG “Net Mëkatarësh”, tregime, botim i vitit 2008 nga Shtëpia Botuese Omsca - 2017 botuar në japonisht nën kujdesin e albanologut Ichiro Iura dhe aktualisht në proces botimi në rumanisht me përkthimin dhe përkujdesin e studiuesit dhe përkthyesit të mirënjohur Marius Dobrescu. Në të njëjtën kohë kjo vepër është në proces përkthimi edhe në gjuhën kineze. Do të ishte viti 2006 kur do të botonte për herë të parë novelën për fëmijë “Gjyshi në Kornizë”, e cila do ta bënte të njohur për lexuesit e vegjël. Botimi i vëllimit poetik “Re të Ftohta”, i përket vitit 2005 dhe në vitin 2007, kjo vepër do të njohë dritën e botimit në rumanisht nën përkthimin dhe përkujdesjen e albanologut të njohur Marius Dobrescu. Publikimi i veprës studimore “Vepra e Çajupit dhe takimet e saj me rrymat letrare ”, i përket vitit 2005, studim i cili rradhitet në vazhdën e botimeve monografike dhe shkencore kushtuar këtij përsonalitet të shquar të Rilindjes Kombëtare. Në zhanrin e shkrimeve eseistikës do të përmendim librin “Shënime të një Europiani pranë Budës dhe Hiroshimës ”, si një kontribut në hulumtimin e dukurive historike dhe kulturore të Japonisë. Vlen të theksohet se kjo vepër jepet si leksion dhe literaturë për studentët e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Hiroshimës, Japoni, nga albanologu japonez Profesor Ichiro Iura. Viti 1996 shënon edhe kohën kur Ermir Nika u paraqit si autor me librin e tij të parë më poezi të titulluar “Lumi i Ëndrrave të Mia”. Aktualisht ky autor ka në proces botimi studimin e tij të titulluar Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe. Që nga maji i vitit 2019 e në vijim Dr. Ermir Nika është Përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve Liberale në Universitetin Evropian të Tiranës. Prej vitit 2001 deri më 2019, Ermir Nika ka punuar në Ministrinë e Kulturës dhe përgjatë këtyre dy dekadave ka ushtruar detyrat e specialistit për çështjet e librit dhe bibliotekave, përgjegjësinë e Përgjegjësit të Sektorit dhe më pas atë të Drejtorit të Drejtorisë për Librin, Bibliotekat, kulturën e Diasporës dhe Minoriteteve. Në periudhën e viteve 2008 – 2009, ka qenë anëtar i Këshillit Artistik – Shkencor të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Ai gjithashtu ka qenë në vitet 2010 – 2013 Anëtar i Këshillit të Lartë të Arkivave në Republikën e Shqipërisë. Përgjatë këtyre viteve ai ka qenë organizator i edicioneve të përvitshme të “Ҫmimi Kombëtar të Gazetarisë Kulturore Teodor Keko”, “ Ҫmimi Kombëtar të Bibliofilisë Lumo Skëndo” si edhe edicioneve të përvitshme të “Ҫmimeve Kombëtare të Letërsisë” Në vitin 2011 Ermir Nika ka qenë konsulent në realizimin e filmit dokumentar " Dritëhijet e Çajupit", realizim i Programit Satelitor i Radio Televizionit Publik Shqiptar, kurse në vitin 2016 ka qenë skenarist i dokumentarit "Shtegtari", kushtuar shkrimtarit Vath Koreshi, realizim i Programit Satelitor i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Gjatë këtyre viteve i përfshirë në disa antologji të prozës dhe poezisë shqipe, si edhe ka botuar artikuj kritikë në shtypin periodik shkencor vendas dhe të huaj mbi artin dhe letërsinë. Po ashtu ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si në Gjermani, Rumani, Slloveni, Greqi, Mal i Zi, duke referuar mbi periudha dhe autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Në vitin 2019 ka përfaqësuar poezinë shqipe në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë të zhvilluar në Stamboll si edhe është një ndër autorët e përfshirë në antilogjinë e botuar në turqisht. Prezantimi i poezisë së tij ishte pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Sapanca 2018 në Turqi, si edhe përfaqësues i poezisë shqipe në antologjinë e botuar në gjuhën turke. Pas një tradite të pasur të pranisë së poetëve shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë, në vitin 2018, Ermir Nika do të përfaqësonte nëpërmjet poezive të tij, letërsinë bashkëkohore shqipe, përkrah emrave të njohur të letërsisë evropiane dhe botërore, si edhe do të ishte pjesë përbërëse e antologjisë ndërkombëtare të botuar në maqedonisht. Ai është pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “El Jadida Voix Festival” Marok si edhe përfaqësues i poezisë bashkekohore shqipe në “ Anthologie El Jadida 2012”, botuar në gjuhën arabe. Pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Sete Voix Festival” Francë 2011 si edhe përfaqësues i poezisë bashkohore shqipe në “Anthologie Sete 2011” botuar në gjuhën franceze. Përfaqësues i poezisë bashkëkohore shqipe në “O antologie a poeziei albaneze de azi”, botuar në gjuhën rumune. Fitues i Ҫmimit të parë për poezinë më të mirë në Festivalin e 49-të të këngës për fëmijë. Fitues i Ҫmimit të parë për poezinë më të mirë në Festivalin e 50-të të këngës për fëmijë. Pjesëmarrës si autor në “Panairin Ndërkombëtar të Librit Leipzig 2012”. Në këtë eveniment ka referuar edhe në konferencën “ Lirika e sotme shqiptare”. I ftuar në vitin 2010 në Qendrën Kulturore Greke “Public”, në të cilën u intrepretuan poezitë e tij në gjuhën greke si edhe i ftuar nderi në “Athens Centre”, në të cilën u prezantua dhe u promovua një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë sime poetike në gjuhën angleze. Në vitin 2006 ka ka kryer specializimin për administrim bibliotekash në Qendrën e Manaxhimit dhe Zhvillimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtimit të Investimeve Kajro, Egjypt. Nëpërmjet një burse të ofruar nga shteti japonez në vitin 2001, ndjek një kurs trajnimi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë.