Romina dhe Roeli

Roel: Unë kam lindur dhe jam rritur në Leskovik. Muzika ishte një pasion i gjithë familjes time. Muzika, në jetën time, është mënyra më e mirë për të pasqyruar dhe transmetuar ndjenjat. Vetëm një këngë mjafton për të të dhënë të njëjtin përjetim dhe memorje të periudhës kur e ke dëgjuar për herë të parë. Jam bërë aq i varur ndaj muzikës sa nuk mundem të fle pa vendosur muzikën time të preferuar.

Fatmirësisht kam pasur shansin ta rrethoj veten me njerëz që kanë të njëjtin pasion me mua dhe ndonëse jam ndjerë ndonjeherë sikur unë nuk isha i prerë për këtë gjë, motra si dhe shokë e shoqe, më kanë inkurajuar ta vazhdoj. Kam hedhur hapat e para me banda amatore ku askush nuk dinte çfarë donte të bënte specifikisht, por një gjë e kishim shumë të qartë, të gjithë donim të bënim muzikë. Pavarësisht performancave të dështuara ka qenë gjithmon dikush që ka parë ndjenja të sinqerta tek ne dhe na ka shtyrë të guxojmë përsëri. Sigurisht ka pasur akoma dështime por arrita në një pikë që mund të shihja që po maturoheshim muzikalisht.

Hera e parë që kam luajtur muzikë (jashtë dhomës, sigurisht) ka qenë në një rock bar për ditëlindjen e kitaristit të bandës. Kishim përgatitur një kolazh këngësh blues rock dhe le të themi që nuk ishte asgjëkundi afër perfektes. Në një moment shkoi aq keq saqë kitaristit iu ça dora. Plot gjak dhe nerva e mblodhëm veten dhe vazhduam performancën. Si fillim mendoja që kjo ishte eksperienca më e afërt me ferrin dhe nga turpi ulja kokën poshtë, por kur hodha një shikim nga turma aty ishin njerëzit që unë doja më shumë, si dhe të huaj që po brohorisnin dhe po shijonin lëmshin që kishim krijuar. Po më dukej vetja sikur isha personazhi kryesor i ndonjë filmi.

Artistët që më frymëzojnë më shumë janë Jacob Collier, John Mayer, FKJ, Radiohead, Chet Baker dhe lista vazhdon. Ndërsa përsa i përket artistëve shqiptar mund të përmend shumë pak si: Eugent Bushpepa, Vlashent Sata dhe së fundmi Bashkim Rodoni. Thonë se shija muzikore dhe muzika në përgjithësi është çështje shumë subjektive, por mua më pëlqen të mendoj se cilësia, përpjekja dhe fakti nëse muzika flet apo jo, është shumë objektive.

Prandaj jam shumë i hapur ndaj çdo lloj zhanri që më përcjell ndjenjë. Megjithëse ne e kemi kiminë si vëlla e motër, do isha shumë i lumtur në qoftë se do të eksperimentonim me banda të tjera, sepse shpesh herë kretiviteti buron nga zona të pa rehatshme apo obskure me shumë, se sa një zonë komforti.

Romina: kam lindur (rastësisht) në Tepelenë dhe jam rritur në Leskovik. Që e vogël nisa të angazhohesha në festa të vogla të shkollës dhe qytetit. Nuk kam qenë ndonjëherë koshiente nëse jam mjaftueshem 'e mirë', ndaj dhe nuk e kam menduar muzikën, më shumë se pasion. Pavarësisht angazhimeve të vogla me muzikën, kur isha vetëm, gjithmonë isha duke kënduar ose duke dëgjuar muzikë.

Jam rritur me muzikën e tim eti që fillonte nga Metallica e deri tek Celine Dion, Whitney Houston... Kjo është mbase arsyeja pse kam qenë gjithmonë fluide dhe pro eksperimentimit të zhanrave; muzika s'ka nevojë për etiketim që të jetë e bukur. Muzikë shqip, për fat te keq, s'kam dëgjuar shumë, hiq emrat e vjetër si Parashqevi Simaku, Vaçe Zela, artin në Shqipëri e ndjej shumë të dobët dhe shumë distant. Sigurisht i dëgjoj si të jenë dëfryese, por shumë pak si art.

Të afërmit dhe shoqëria ime ka qenë një shtysë shumë e madhe për gjithë projektet ku kam marrë pjesë dhe vitet e fundit edhe im vëlla. Është rritur duke dëgjuar playlist-at e mia, përpos të vetave, dhe kjo na ka sjellë sot këtu. Është shumë fat që përveçse njohim njëri tjetrin në teka, e njohim dhe në tingujt që arrijnë të na bëjnë të lumtur; e kjo na ka bashkuar më shumë: kalojmë kohë me njëri tjetrin më shumë, shkëmbejmë ide me shumë dhe bëjmë jam-s me shumë.

Në këtë pikë që jemi, nuk do doja ta ndërroja me muzikant tjetër, por e di që të dy jemi të hapur të njohim më shumë veten si artista, edhe nëse kjo do të thotë të mos luajmë vetëm me njëri-tjetrin. Është koha e duhur për të gjetur shtigje, dhe të parin e gjetëm. “Për Shteg” është projekt që ne e duam shumë dhe urojmë të jetë fillimi i ditëve të lodhura, por të mbushura me muzikë.

instagram - copeza_romine