Xhevat Lloshi

Xhevat Lloshi ka lindur në Fier më 28 janar 1938. I diplomuar më 1958 me rezultate të shkëlqyera për gjuhë ruse dhe gjuhë shqipe nga Universiteti i Tiranës, më 1961 filloi punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në sektorin e leksikografisë, dhe qysh atëherë e deri më sot i është përkushtuar gjuhësisë, e cila është bërë pasioni i tij i jetës. Veprimtarinë botuese e ka nisur që në vitin e parë të punës, duke u bërë autor i përhershëm në revistat “Arësimi popullor”, “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, “Ylli”, “Nëntori”, “Tribuna e gazetarit”, po edhe në shtypin e përditshëm, pothuaj në të gjitha gazetat para ‘90-s, sidomos në gazetën “Drita”, dhe, pas ‘90-s, në organe të shtypit shkencor e të përditshëm që botohen në hapësirat shqiptare. Ai është një nga filologët me disa kontribute në fushë të studimeve gjuhësore shqiptare. Midis të tjerave vlerësohen sidomos kontributet e tij në fushën e leksikografisë e të leksikologjisë, në fushën e stilistikës së gjuhës shqipe, në studimin e historisë së lëvrimit të shqipes së shkruar dhe të autorëve më të rëndësishëm, si K. Kristoforidhi, V. Meksi, S. Frashëri, Gj. Qiriazi etj., në ndriçimin e mëtejshëm të autorëve, albanologëve e të institucioneve, si Majeri, Nahtigali, Kavalioti, M. Boçari, të Shoqërisë Biblike të Londrës dhe të drejtuesve të saj, Aleksandër Tomsoni etj.; ndihmesa ka Xh. Lloshi edhe në fushën e gjuhës standarde dhe të kulturës së gjuhës. Krahas këtyre, ai ka arritje edhe në përkthime veprash dokumentare e letrare nga gjuhët e huaja, ka hartuar gjithashtu tekste shkollore parauniversitare. Lloshi ka drejtuar punën për hartimin ‘e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar’ dhe për dy vjet (1980–1982) drejtoi gazetën letrare-artistike ‘Drita’ në Tiranë. Veprimtaria kërkimore e Xh. Lloshit është shumë e gjerë, ai është një nga gjuhëtarët më produktivë me një varg studimesh origjinale dhe përkthimesh; midis botimeve të tij përfshihen vepra, monografi, studime, shkrime, artikuj, kumtesa, referate, intervista, diskutime, botuar në libra më vete, fjalorë, tekste universitare, në përmbledhje, në revista shkencore, në gazeta e kudo, brenda e jashtë Shqipërisë, përfshirë Kosovën, Maqedoninë etj.; produktet shkencore të tij janë mirëpritur dhe vlerësuar, janë botuar dhe ribotuar. Ai ka një pjesëmarrje aktive në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Në fushën e leksikografisë e ka nisur punën shumë herët me një fjalor terminologjik të gjeologji-minierave (1965) për të vijuar me hartimin e të parit fjalor shpjegues të shqipes, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980), bashkautor dhe bashkëredaktor i të cilit është. Pas një ndërprerjeje, prof. Xh. Lloshi iu kthye sërish leksikografisë, kësaj here fjalorëve terminologjikë, duke botuar më 2010 “Fjalorin e emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht dhe latinisht-shqip”. Kjo vepër u ndoq katër vjet më pas nga “Fjalori i emrave të bimëve dhe të kafshëve anglisht-shqip dhe shqip-latinisht-anglisht” (2014). Me pasurinë e emërtimeve dhe të sinonimeve të tyre, të dy këto vepra kanë vlera të padiskutueshme jo vetëm shkencore, po edhe praktike, si fjalorë dygjuhësh, që u vijnë në ndihmë biologëve dhe një rrethi më të gjerë përdoruesish. Stilistika ka qenë një fushë tjetër e lëvruar pas Luftës kryesisht prej prof. Xh. Lloshit. Përfshirja në studime të kësaj fushe erdhi si rrjedhim i njohjes së literaturës në gjuhën ruse, i përvojës së tij të pasur si publicist, po edhe si pedagog i kësaj lënde. Kjo përgatitje e tij dëshmohet me shkrime për çështje të stilistikës në revistën “Studime filologjike” që nga fillimi i viteve ’70, dhe kurorëzohet me veprën “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp” (1977), e cila si tekst mësimor është ribotuar disa herë me tituj të ndryshëm. Prej 40 vjetësh ky tekst ka luajtur e po luan një rol të rëndësishëm në formimin gjuhësor të studentëve e të mësuesve të gjuhës si dhe të studiuesve të rinj të shqipes. Këtij botimi prof. Lloshi i shtoi edhe një vepër të përshtatur nga anglishtja me titull “Si të shkruajmë shqip” (2010). Veç vlerave didaktike e praktike, këto tekste, sidomos libri i stilistikës, kanë edhe vlera shkencore. Prej tij kanë hyrë në gjuhësinë tonë edhe një varg konceptesh e termash të stilistikës, si stilemë, përftesë, normë stilistike, organizim parësor, organizim dytësor i tekstit, rimarrje, organizim standard i ligjërimit, morfostilistikë, sintaksostilistikë, semantostilistikë, ligjërim i shkujdesur etj. Një fushë tjetër kërkimesh e prof. Xh. Lloshit ka qenë historia e përkthimeve fetare të shek. XIX. Interesi për këtë fushë, siç tregon në shkrimet e tij, i ka lindur gjatë kërkimeve në Bibliotekën Mbretërore të Londrës më 1972, ku gjeti materiale të shumta për Shqipërinë, sidomos për veprimtarinë e Shoqërisë Biblike të Londrës lidhur me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe. Njoftimet e para për këto kërkime i dha në gazetën “Drita” më 1972, duke vijuar pastaj me botimin e një shkrimi në disa numra të revistës “Studime filologjike” në vitet 1973 e 1974 mbi veprimtarinë e V. Meksit, G. Gjirokastritit e të K. Kristoforidhit. Zbulimi i këtyre materialeve bëri që fushave të tij të interesit t’u shtohej edhe filologjia. Shkrimet për këtë temë nuk do të reshtin në vitet e mëpastajme, por nga viti 2005 do të fillojë të botojë një seri veprash për këtë temë: “Kristoforidhi përmes dokumentimit” (2005), “Rreth alfabetit të shqipes” (2008), “Konstandin Kristoforidhi, Bibla (në gegërisht). Kriesa, Të Dalëtë (1872)” (2009), “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, 1819-1827” (2012), “Kostandin Kristoforidhi. Psalmet gegërisht dhe toskërisht” (2015) dhe katër libra të botuara brenda vitit 2017: “Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike. I. 1815-1883”, “Konstandin Kristoforidhi. Pesë libra të Dhiatës së Vjetër në versionin toskërisht, 1882-1884”, “Konstandin Kristoforidhi. Shkrime dhe përkthime: Historia e Shkrimit të Shenjtë (1870 e 1872). Katër katekizma (1867 e 1872)”, Konstandin Kristoforidhi. Dhiata e re gegërisht, 1872”. Nëntë libra të botuar të botuar në harkun e 12 vjetëve nuk shënojnë fundin e trajtimit të kësaj tematike. Në planin shkencor të prof. Xh. Lloshit për të ardhmen përfshihen projekte edhe për disa vepra të tjera. Gjithë këto botime të prof. Xh. Lloshit kanë nxjerrë në dritë një trashëgimi të vyer të shkrimeve shqipe të shek. XIX, trashëgimi që flinte në dosjet e arkivave. Mbrojtja e gjuhës standarde ka qenë një nga shqetësimet e prof. Xh. Lloshit në këta tre dhjetëvjeçarët e fundit. Janë të shumta shkrimet e tij të botuara në shtypin shkencor dhe të përditshëm, kumtimet në konferencat kombëtare që janë mbajtur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe jashtë, si dhe intervistat e dhëna televizioneve, në të cilat ai është shfaqur si një nga mbrojtësit më të vendosur të gjuhës standarde dhe të prodhimit letrar të krijuar me të. Shumë nga artikujt për këto çështje ai i ka përmbledhur në librat “Mbështetje për gjuhën letrare” (1997), “Shqipja – gjuhë e hapur dhe dinamike”, (2011), “Shqipja qysh u është dukur?” (2016) dhe “Përsiatje hulumtuese” (2016), të cilat gjuhëtarët e rinj nuk duhet t’i ndajnë nga dora. Ndër veprat e tij më të rëndësishme do të përmendnim: Fjalor i Gjuhës Shqipe (1980), Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve (anglisht-shqip dhe shqip-latinisht-anglisht (2016), Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe (1987, 194 ff.), Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika(1999 ,350 ff.); Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, 1819–1827 (2012, 398 ff.), Kristoforidhi përmes dokumentimit (2005, 410 ff.); Rreth alfabetit të shqipes (2008, 321 ff.); Mbështetje për gjuhën letrare (1997, 158 ff.); Shqipja gjuhë e hapur dhe dinamike, (2011, 327 ff.).