Nasi Lera

Nasi Lera u lind në Korçë, më 29 Shtator 1944, ku mbaroi shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i

kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe.

Që në fillesat e tij si letrar i ri, ai tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës, madje që në tregimet e para të cilat spikatnin për nivelin e tyre të lartë artistik. Botimet e librave të tij, në pak vite e radhitën atë në emrat më të njohur të brezit të shkrimtarëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Veprat e tij u vlerësuan menjëherë me çmime në konkurset kombëtare si dhe me Çmimin e Republikës. Përgjatë gjithë karrierës së tij në krijimtarinë artistike, ai ka botuar këto vëllime me tregime: 

Bora e fundit,

Era e pishave,

Nisemi, djema,

Ditë nga ky shekull,

Sytë e dashurisë,

Treni ecte drejt dëborës,

Duaje emrin tënd,

Ulërima e heshtur,

si dhe romanet: Gjaku i prillit,

Të jetosh kohën,

Orët e qytetit të vogël,

Balada e vetvetes,

Nata e premierës,

Ngjallja e diktatorit,

Ana Zh.,

Njeri pa stinë,

Sytë e Sofisë,

Të gjallë dhe të vdekur,

Të gjithë premtojnë Parisin,

Kishim një ëndërr.

 

Në të njëjtën kohë, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe sa i përket lëvrimit me sukses të gjinisë së skenarit të filmit artistik, ku do të përmendnim filmat:

Duaje emrin tënd dhe Telefoni i një mëngjesi.

Ndërrimi i sistemeve ishte një sfidë e rëndësishme për çdo autor shqiptar dhe në këtë periudhë

ndryshimesh, Lera solli për lexuesin një sërë veprash të rëndësishme të cilat u pritën me interes të

veçantë si nga publiku shqiptar por edhe ai i huaj.

Disa prej tregimeve të Nasi Lerës janë përkthyer në bullgarisht, rusisht, hebraisht, italisht, frëngjisht, rumanisht, gjermanisht, anglisht.

Një vend të rëndësishëm dhe të vlerësuar në krijimtarinë e shkrimtarit zënë përkthimet e autorëve

nobelistë si E. Heminguej, A. Kamy, J. Saramago, G. G. Marquez, A. Zhid, Le Clezio, M. V. Llosa,

J. Kavabata, Kenzaburo Oe, M. Kundera, M. Duras, M.Turnie, Akutagava, S. De Bovuar etj.

Nasi Lera vijon të mbetet një ndër personalitetet më të njohur dhe të respektuar nga lexuesi dhe kritika

letrare për origjinalitetin e spikatur stilistik, si edhe për kontributin e shumanshëm në lëmin e letërsisë

shqipe dhe asaj të përkthyer.