Edmond Tupja

Edmond Tupja lindi mё 9 mars 1947 nё Tiranë. Ai ka kryer studimet pёr gjuhësi, letërsi, kulturë & qytetërim francez / Përkthim (me gojë & me shkrim) nё Qendrёn e Gjuhësisë së aplikuar ku mbrojti diplomën e gjuhës frënge, Besançon, Francë, (nëntor 1965 – qershor 1966). Ka vijuar studimet në Universitetin e Sorbonës ku është diplomuar në cilësinë e profesorit të gjuhës, Paris, Francë për letërsi dhe kulturë franceze, (tetor 1966 – qershor 1971). Më tej ka përfunduar shkollimin në ESIT (Shkolla e Lartë e Master në përkthim, Përkthyesve & Interpretëve), Paris, Francë (tetor 1988 – qershor 1989).

Ai mban gradën Doktor i shkencave gjuhësore, profesor i asociuar.

Përvoja profesionale përfshin njohuri të shëndosha dhe praktikë të pasur në mësimdhënien e gjuhës frënge dhe të metodave të përkthimit e të interpretimit nga frëngjishtja në shqipe dhe anasjelltas. Po kështu zotëron përvojë të pasur në përkthim me shkrim (rreth 80 libra të përkthyer ose të bashkëpërkthyer nga frëngjishtja në shqipe dhe anasjelltas, të gjithë të botuar, mbi 60 në Shqipëri dhe rreth 20 në Francë; mbi 20 libra të shkruara nga vetë ai, nga të cilët njëri në bashkëpunim – romane, novela, tregime, vëllime poetike, fjalorë, monografi, sprova, parathënie e publicistikë – të gjithë të botuar në Shqipëri, nga të cilët një në Francë, dhe një në Kroaci e në Slloveni. Gjithashtu Edmond Tupja ka përvojë të pasur edhe në interpretim konsekutiv e simultan (nga viti 1967 deri në vitin 2010) për organizma e forume kombëtare (qeveri, ministri të ndryshme, parlament, OJQ etj.) dhe për organizata ndërkombëtare (OKB, Këshilli i Europës, Komisioni Europian, Parlamenti Europian, OJQ etj.) 

Ai është anëtar në dy shoqata e klube dhe konkretisht:

Anëtar i Shoqatës së përkthyesve interpretë të Shqipërisë

Anëtar i Shoqatës së profesorëve të universiteteve shqiptare 

Rrugëtimi profesional:

Që nga janari 1992 deri në mars 2015, Edmond Tupja ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Departamenti i gjuhës frënge). Nga janari 1980 deri në dhjetor 1991 ka punuar përkthyes e redaktor në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, Redaksia e Përkthimeve (nga shqipja në frëngjishte). Nga gushti 1971 deri në gusht 1976 ka nisur punën si pedagog në Universitetin e Tiranës, (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Katedra e gjuhës frënge). Prej gushtit 1976 deri në janar 1980 ka ushtruar profesionin e mësuesit të frëngjishteje në shkollën 8-vjeçare të qytetit të Gramshit. 

Edmond Tupja është vlerësuar me këto ҫmime kombëtare:

Më 2001 çmimi “Penda e argjendë” dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve për përkthimin më të mirë për vitin 2000 të “Dragoit të fildishtë” në frëngjishte, botuar në Paris nga shtëpia botuese Payot & Rivages.

Më 2002 çmimi i Komisionit kombëtar të frankofonisë si përkthyes.

Më 2004 çmimi “Serembe” nga Klubi i artistëve laçianë për përkthimin në shqipe të romanit “Kur dashuronte Suani” të Marcel Proust-it.

Më 2010 çmimi “Jusuf Vrioni” nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në kuadrin e “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2009” me motivacionin “Për përkushtimin e tij të qëndrueshëm në përcjelljen e vlerave të letërsisë shqipe në gjuhën frënge”.

Edmond Tupja është laureant i disa ҫmimeve ndërkombëtare:

 

Më 1994, në konkursin ndërkombëtar të poezisë në gjuhën frënge organizuar nga Klubi i poetëve kodasjenë në Francë, në vendin e parë me tri poezi origjinale që nderohen me “Grand diplôme d’honneur avec mention du jury”.

Më 1994, në konkursin XVII ndërkombëtar të novelës në gjuhën frënge organizuar nga Radio France Internationale, në vendin e nëntë ndër tre mijë kandidatë me novelën “Elle s’appelle toujours Sara” që u përfshi në vëllimin me gjashtëmbëdhjetë novelat më të mira të këtij konkursi, botuar nga shtëpia botuese “Sepia”, Paris, 1995.

Më 1996, në konkursin ndërkombëtar të poezisë në gjuhën frënge organizuar nga Klubi i poetëve kodasjenë në Francë, në vendin e parë me tri poezi origjinale që botohen në një vëllim dhe nderohen me “Grand diplôme d’honneur avec mention du jury”.

Edmond Tupja mban këto medalje dhe tituj nderi:

Më 1996, nga Ministria e Arsimit dhe e punës kërkimore së Francës medalja e “Palmave akademike” dhe titullin “Kalorës” i tyre për shërbimet e kryera ndaj kulturës franceze.

Më 1999 nga Akademia Franceze medalja me argjend të praruar për rrezatimin e gjuhës e të letërsisë frënge.

Më 2006, nga ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë titulli i nderit “Personalitet shqiptar i vitit Senghor 2006” me rastin e Ditës ndërkombëtare të Frankofonisë dhe të vitit jubilar Senghor.