Abaz Hoxha

Teknik Ndërtimi /gjeometër/, inxhiner elektronik, studiues dhe historian i parë dhe i vetëm i kinematografisë.

Pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademise "Marubi" të Filmit dhe Multimedias ku jep lëndën e Historisë së Kinematografisë Botërore dhe shqiptare.

Një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe kuadri i parë i lartë me arsim profesional i saj.

Anëtar i Redaksisë së Arteve dhe Arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, themelues organizator.

17 vjet drejtues i Arkivit Shtetëror Qëndror të Filmave (Antare e Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave (FIAF) nga viti 1963.

Anëtar i Këshillit Shkencor të AQSHF,

Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe fitues i dy çmimeve në konkurset Kombëtare letraro-artistike.

Publiçist dhe autor i mbi 180 shkrimeve të karakterit problemor dhe studimor si dhe autor i 24 librave të botuara për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre.

Hartues i Enciklopedisë së parë të Artit, etj.

Veteran I Luftes Antifashiste

 

Lindi në Vlorë më 14 prill 1930. Rrjedh nga një familje tradicionalisht intelektuale dhe patriotike.

       U përfshi në lëvizjen antifashiste që në moshën më të njomë dhe mori pjesë me armë në dorë në repartet partizane kundër pushtuesve nga prill 1943-deri në çlirimin e plotë të atdheut. Kreu shkollën fillore në fshatin e origjinës së babait, në Tragjas dhe të mesmen në shkollën Teknike në Tiranë / ish Shkolla Teknike amerikane e Fulcit/ dhe u diplomua si Teknik i mesëm ndërtimi/ gjeometër në vitin 1949.

Studimet e larta i kreu në Pragë, Rep.Ceke dhe u diplomua si inxhiner elektronik në vitin 1954. Paralelisht kreu një specializim pasuniversitar dy-vjeçar për Teknikën e Studiove të Radios, Filmit dhe Televizionit e posaçërisht për optikën dhe akustikën.

U emërua fillimisht si inxhiner zëri dhe për 10 vjet, 1956-1965, kryeinxhiner i kinostudios “Shqipëria e Re”. Më vonë, për 7 vjet, 1966-1973, si drejtues i sektorit të kinemave, të distribucionit, përkthimit dhe shpërndarjes së filmave.

Nga viti 1972-1990 themeloi dhe drejtoi Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit.

 

 

Ka veprimtari të gjerë gjithëjetësore në të gjitha fushat e kinematografisë si:

 

I.-Veprimtari pedagogjike: Pedagog i të gjitha niveleve të shkollave nga viti 1956 e deri më sot si: Përgatitjen e teksteve, dhënien mësim dhe drejtimin e kurseve për përgatitjen e kuadrove të kinematografisë dhe rrjetit të kinemave (1956-1965).

Pedagog në Shkollën e Lartë të Kulturës (1958-1964), dhënie mësim në kurset pasuniversitare në kinostudion "Shqipëria e re" për përgatitjen e kuadrove të xhirimit të filmave (1966-1990), pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademise të filmit dhe Multimedias "Marubi" (1996-2012) dhe udhëheqës i punës së diplomës për disa studentë të Akademisë së Arteve, etj.

 

II.-Veprimtari inxhinerike (si gjeometër dhe kryeinxhiner i Kinostudios):

Përgatitjen e programeve, hartimin e projekteve teknologjike dhe drejtimin e punimeve për ndërtimin e një numuri të madh kinemash në të gjithë vendin (nga viti 1955-Kinema "Partizani"), i të gjitha objekteve për xhirimin e filmave në Kinostudio si Atelierët e xhirimit dhe të zërit, reparteve të ndryshme të montazhit, grimit, butaforisë dhe anekseve të tyre, repartin e ngritjes së dekoreve, sallave të projektimit etj; programin dhe projektin teknologjik për ngritjen e Arkivit Shtetëror të Filmit etj. Ka marrë pjesë gjithashtu në projektin akustik dhe mbrojtjen nga zhurmat në Pallatin e Madh të Kulturës dhe veçanërisht për sallën e Operas dhe Baletit, ka qënë si konsulent për çështjet e akustikës dhe ndriçimit në ndërtimin e sallës së Kuvendit Popullor, etj.

 

III.-Veprimtari studimore dhe kërkimore shkencore:

Nga viti 1957 ka bërë disa studime të ndryshme për: Zgjerimin e prodhimit dhe përmirësimin e procesit teknologjik të prodhimit, zgjerimin e rrjetit të kinemave në të gjithë Shqipërinë, përgatitjen e kuadrit krijues e teknik, ngritjen e Televizionit Shqiptar (1959), ngritjen e orkestrës simfonike të Kinematografisë dhe të Radios (1958, u ngrit në 1964 dhe ka funksionuar me këtë emër deri në vitin 1984), për domosdoshmërinë e antarësimit të Arkivit të Filmit në Federatën Ndërkombëtare të Filmave (u pranua anëtar i FIAF më 1963), zgjerimin e rrjetit kinematografik në fshat dhe shtrirjen e tij në zonat e thella malore (1958-1963).

            Nga viti 1965 është marrë me kërkime për zbulimin e dokumentave, filmave etj duke bërë një punë të gjërë kërkimore-shkencore për historinë e kinemasë shqiptare nga fillimi i shekullit të kaluar në bibliotekat dhe arkivat shqiptare dhe të huaja (Itali, Austri, Gjermani, Danimarkë, Maqedoni, etj) dhe ka zbuluar shumë figura të shquara në fushën e kinematografisë me origjinë shqiptare, dokumente dhe filma të xhiruara në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, një pjesë të të cilave i ka sjellë në Shqipëri ose vazhdon punën për sigurimin e tyre si veprimtarinë filmike të Aleksandër Moisiut dhe disa filma ku ka interpretuar ai nga viti 1910, veprimtarinë aktoreske në filmin rumun të Kristaq Antoniut (nga viti 1924), aktoren e parë shqiptare të kinemasë që ka interpretuar në kinemanë evropiane dhe botërore Elena Qirici, kineastët e parë shqiptarë që kanë vepruar në trevat shqiptare e ballkanike nga viti 1904 (Vëllezërit Manaqi-për origjinën dhe zbulimin e veprimtarisë së tyre është marrë mbi 5 vjet), zbulimin e origjinës shqiptare dhe veprimtarinë e gjithanëshme artistike të aktorit shqiptaro-amerikan Xhon Belushi (John Belushi) për të cilin ka bërë dhe një film televiziv, origjinën dhe veprimtarinë në kinemaografi të regjisorit, piktorit dhe producentit në industrinë amerikane të reklamave Sten Dragoti, amatorët e parë shqiptarë të fillimit të shekullit të kaluar si A.Çelo etj, regjisorin e parë të kinemasë M.Mone etj.

            Po kështu ka zbuluar dhe sjellë në Shqipëri disa filma kronikalë e dokumentarë me vlera të posaçme historike si: Ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri më 1914 dhe shpalljen e Durrësit kryeqytet, kronika nga Tirana, Durrësi, Berati etj nga viti 1914, zërin e Aleksandër Moisiut duke recituar në “Kufoma e gjallë”, filmin e parë dokumentar me zë xhiruar nga gjermanët(1932),filmin artistik "Na ishte një herë"(Once Upon The Time) xhiruar në vitin 1922 nga regjisori i njohur Karl Teodor Dreyer, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Iliri dhe në qendër të tij është një princeshë iliriane,etj.

 

IV.-Veprimtari publicistike:Ka botuar në organet e ndryshme të shtypit mbi 180 shkrime duke filluar nga viti 1956, ka çelur revistën e parë të filmit "Buletini Kinematografik"(1967-1972),ka botuar si botues dhe kryeredaktor revistën e parë të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve "Arbëria"(1998),ka shkruar,drejtuar e folur në disa emisione të radios dhe në stacionet televizive,(Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Itali, New York, Londer-,BBC) për historinë e kinematografisë shqiptare dhe figurat përfaqësuese të saj,ka folur për kinematografinë shqiptare në disa shtete si(Universitetin e Venecies,në Londër, Athine, etj-masterclas)./mbi 30 intervista te regjistruara ne DVD/-.

 

V.-Veprimtari krijuese letraro-artistike:Ka shkruar disa dhjetra plan-skenarë (dhe ka drejtuar vetë xhirimet) për xhirimin në film të disa personaliteteve të kulturës, artit dhe shkencës si D. Agollin, S. Spase, Dh. Shuteriqi, M. Domi, Ll. Siliqi etj.Ka përgatitur një plan perspektiv për xhirimet në film për qëllime arkivore dhe ka drejtuar xhirimet nga ajri (me elikopter) në të gjithë Shqipërinë duke marrë në veçanti kalatë e ndryshme,momumentet e kulturës, momumente te kulteve fetare etj.Ka shkruar skenarë për filma dokumentarë për filmin dhe televizionin si: “Një kronikë, një temë”, filmin kronikal mbi celjen për herë të parë të pikes kufitare me Greqinë në Kakavi, "Një meteor shkëlqeu në ekran"(John Belushi) etj. Ka shkruar tre skenarë për filmat artistikë nga të cilët njëri është realizuar "Ilegalët"(1976-R: S. Kumbaro, R. Ljarja) dhe njëri ishte miratuar për xhirim por nuk u realizua nga ndryshimet që ndodhën më 1990.Eshtë nderuar me dy çmime për veprimtari krijuese në Konkurset Kombëtare letraro-artistike (1974,1987).

 

VI.-Botime librash për kinematografinë. Eshtë autor i 24 librave të botuara për kinematografinë shqiptare dhe të huaj dhe figurave të shquara të tyre si:

1.-Teknika e Kinoprojeksionit (bashkautor, 1969, 440 f,me ilustrime)

2.-Akustika e mjediseve të brendëshme (1970, 150 f,me ilustrime-për ndërtimin e sallave të kinemave dhe kinoteatrove).

3.-4.-The International Directory of Cinematographers set and Costume Designer in Film (pjesët për Shqipërinë në dy vëllime 1983,1986 botuar nga Federata Ndërkombëtare e Arkivave të Filmit në Londër,Paris,Neë York,Berlin)

5.-Filmi Artistik Shqiptar-1957-1984 (1987,370 f me ilustrime).

6.-Arti i Shtatë në Shqipëri-vëll.I-1900-1944 /170f,me ilustrime,1994).

7.-Enciklopedi e Kinematografisë Shqiptare (botim i parë 1999-400 faqe me ilustrime).

8.- "100 vjet kinema në trevat Shqiptare (2002, 400f,me ilustrime).

9.-"Enciklopedi e Kinematografisë shqiptare (botim i dytë i plotësuar,2002, 540 f,me ilustrime).

10.-Greta Garbo-Vajza që u kthye në legjendë-(2002,70f,me ilustrime).

11.-Kinematografia e vendeve Skandinave (80f,me ilustrime,2002).

12-Ne u shkolluam në Pragë (2003,160f me ilustrime).

13-Histori Arti (bashkautor me M.Zeqo,A.Hado,J.Papagjoni,202f,2003).

14.-Kinematografia Shqiptare shqip- anglisht-1985-2005 (666f,me foto B/Z dhe me ngjyra,2004).-

15.-Historia e Kinematografisë Botërore 1895-1945,vëllim i parë (210 f,me ilustrime,2005).

16.-Historia e Kinemase ne Shqiperi-vellimi i I-1897-1944(408 f,me ilustrime,2007)

17.-Ne gjurme te filmave per Shqiperine/nga puna kerkimore ne disa arkiva evropiane/128 f,me ilustrime,2007).

18.-Shqiptarët në kinematografinë botërore (420f me foto,2008)

19.-Historia e Kinematografisë Botërore vellimi i dytë 1945-2005/ 264f, me foto/

20.-Na ishte një herë një kinostudio/kujtime dhe mbresa/ 214f. -

21.- Vellezerit John dhe James Belushi-136 f. -

22.-Historia e Kinematografisë shqiptare-Vëll.II-1945-2000,-152 f.

23.- Dallgët e trazuara të jetës /shënime autobiografike/. 358 f.

24.-Mbroj dashurine time – Publicistike 1- 342 f.

 

Ka në proces të përfundimit dhe botimit:

1.-.-Berlin,Aleksander Platz-/kujtime/

2.-.- Intervista dhe dosje/1990-2006/-përfunduar-

3.-.- Kam heshtur 70 vjet- - Publicistike 2, opinione,kritikë,mendime/

4.-.- Mrekullia e artit të shtatë /përmbledhje shkrimesh në organet e shtypit për kinematografinë botërore dhe figura të shquara të saj/

 

VII.-Arkivistikë: Ka hartuar strukturën e organizimit shkencor të fondit të Arkivit Shtetëror të Filmit,ka hartuar disa filmografi për kronikën shqiptare dhe të huaj të filmave që ndodhen në arkivë (për qëllime të brendëshme), ka organizuar punën dhe grumbullimin e gjithë informacionit dhe dokumentacioneve përkatëse për ngritjen e Muzeut të Kinemasë dhe Bibliotekës Shkencore të Kinematografisë.

VIII.-Përkthime e redaktime të filmave(1953-1972):Ka përkthyer ose redaktuar mbi 12 filma çekë, polakë, Vietnamezë, Kinezë, Amerikanë, Anglezë etj.

            Nga viti 1998 është Antar i Akademisë së Shkencave shqiptaro-amerikane(me qëndër në New York) dhe përgjegjës për Evropën dhe kam hartuar Statutin dhe Rregulloren e Brëndëshme të saj.