Një thirrje së cilës i’u bashkuan studentët nga e gjithë Shqipëria duke i bërë të gjithë të besonin se një dhjetor i dytë kishte ardhur, të besonin se një frymë e re në sistem do të ç’bënte padrejtësitë e bëra nga sistemet më parë.
Pas protestës në 27 Mars të 2019 kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj doli menjëherë me një deklaratë për shtyp ku lajmëroi se karta do të shpërndahej nëpër universitetet përkatëse. Nëpërmjet kartës së studentit, ata që ishin të pajisur do të përfitonin 40 shërbime duke filluar nga tarifat e reduktuara, ofertat e dedikuara, si nga institucionet publike ashtu edhe nga subjektet private. Por pse kjo kartë studentore u shpërnda nga bashkia e Tiranës vetëm për studentët e po këtij qyteti? Mos vallë vetëm Tirana ka studentë? Përse kjo kartë gjithmonë ndër vite është përdorur si një premtim nga kryetarët e bashkisë së Tiranës?
Historiku i kartës
Nga hulumtimet e kryera fatkeqësisht nuk mundëm të gjenim fakte që karta e studentit të ishte premtuar në qytete të tjera. Por, në kryeqytet duket se karta ka qenë një premtim prej më shumë se 25 vjetësh.
Zanafillën e ka që në vitin 1992 nga ish presidenti dhe kryeministri, Sali Berisha, i cili premtoi përpara “studentëve të dhjetorit 1990” se do t’i pajiste me këtë dokument për të kryer disa shërbime publike falas.Ky premtim është bërë dy herë brenda të njëjtit vit. Në fillim, përpara studenëtve dhe më vonë në 22 mars 1992 në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare. Katër vjet më vonë, në 26 maj 1996, zoti Berisha bën përsëri të njëjtin premtin në zgjedhjet e asaj kohe.
Saga e premtim të kartës vazhdon në 8 maj 2011, ku Sali Berisha së bashku me Lulzim Bashën premtojnë përsëri kartën e studentit. Ajo që mund të kuptojmë qartë është se zoti Berisha prej 19 vitesh premtonte kartën, por ende nuk dihet se kur do ta mbaj si premtim. Në këtë momentin në historinë e premtimit të kartës hyn edhe zoti Basha. Në 10 tetor 2011, zoti Lulzim Basha, asokohe kryetar i bashkisë së Tiranës, prezantoi kartën e studentit. Në deklaratën e tij ai theksoi: “Ne jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar një nga premtimet e mia kryesore; kartën bashkiake të studentit, për çdo student të Universitetit të Tiranës dhe të të gjithë universiteteve që rezidojnë në këtë qytet. Kjo kartë studentore do të jetë në duart tuaja dhe do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, lehtësirash, që nga transporti publik, tek jeta kulturore, tek shërbimet e infrastrukturës ushqimore e shumë të tjera”.
Më 4 nëntor të po atij viti, zoti Basha firmos me rektorët e universiteteve marrëveshjen për të pajisur studentët me kartën studentore. Në 20 janar 2012, Lulzim Basha deklaron se karta e studentit është gati për tu shpëndarë. Pothuajse një vit më vonë, më 24 janar 2013, zoti Basha del në një deklaratë për shtyp dhe deklaron se janë pajisur plot 3500 student me kartën e studentit.
Çështja e kartës siç duket qartë rinis përsëri në vitin 2011, 15 vite më vonë, po në muajin maj, po nga i njëjti person vetëm se tashmë është shtuar dhe një aktor tjetër, Lulzim Basha. Edhe pse karta u premtua në vitin 2011, ajo u shpërnda dy vite më vonë.
Por për sa studentë u shpërnda, a u pajisën të gjithë studentët e Tiranës me kartë? A përfituan ata nga shërbimet e kartës? A ishte një sukses projekti i kartës? Ç’rëndësi kanë këto, rëndësi ka që premtimi u mbajt, se si, sa dhe çfarë u realizua pak rëndësi kanë. Vazhdojmë të hedhim një sy përsëri në të shkuarën...
Në historikun e kartës na futet një aktor i ri politik, Erion Veliaj. Në 11 qershor 2015, zoti Veliaj premton kartën e studentit në fushtën elektorale të atij viti ku kandidonte si kryetar bashkie. Tashmë si kryetar i bashkisë së Tiranës, zoti Veliaj ripremton kartën në 27 mars 2019. Premtimi duket se po mbahet 2 muaj më pas, në 27 maj 2019, kur është koha që karta e studentit fillon të shpërndahet në Universitetin e Tiranës.
“Karta e studentit, mjet reklamimi”
Protesta e studentevë ishte një ndër faktorët kryesorë që nxiti realizimin e shpërndarjes së kartës. Normalisht kjo erdhi si pasojë për të qetësuar gjendjen. Projekti i kartës së studentit u vu në zbatim dhe të gjitha universitetet e Tiranës janë pajisur me to. Pra bëhet fjalë vetëm për qytetin e Tiranës, studentët e qyteteve të tjera nuk e kanë këtë luks sepse studentë ka vetëm kryeqyteti apo jo? Sipas ligjit të arsimit të lartë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë statusi “student” i përket të gjithë studentëve të Republikës së Shqipërisë. Karta e studentit është një mjet identifikues, siç është karta e identitetit, por ndryshe nga kjo e fundit në të shprehet qartë që ti je STUDENT. Tashmë dalim në një problematikë tjetër, përse bëhet ky segmentizim, kjo ndarje sipas qytetit? Nëse bazohemi te karta, asnjë student tjetër në Republikën e Shqipërise nuk e gezon këtë status përveçse atyre që studiojnë në Tiranë. Edhe ai që është student në Durrës ka dëshirë që të shkojë në një dyqan, të nxjerrë kartën plot krenari, ta përplasë aty në tavolinë e të thotë plot vetëbesim: “Dua dhe unë të përfitoj nga ajo ulja që keni për studentët!”.
Këshilli i Ministrave në 17.04.2019 nxjerr vendimin numër 226 në të cilin shprehen kategoritë e shërbimeve të ofruara nga entet shtetërore dhe subjekte të tjera ku përfitohen me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit. Nëpërmjet kartës studentët e pajisur me të do të përfitojnë 40 shërbime (librari, muze, rroba, marrja e shesheve me qira, etj). Nëse bën një analizë të thjeshtë të shërbimeve që kjo kartë ofron shihet qartë që nuk ofron asnjë nga shërbimet bazike dhe jetësore të domosdoshme për studentët. Nuk përfshin ulje në ushqime, libra apo në shërbime që mund të jenë mjaft të domosdoshme për studentët. Madje ka shërbime si ulje në argjendari, e cila duket mjaft qesharake. Ajo që është më e përdorshmja dhe më afër nevojave të studentëve dhe më e rëndësishmja është transporti publik, aboneja e studentit. Mesa duket ky është i vetmi shërbim i cili i’u intereson me të vërtetë studentëve, pasi shërbimet e tjera i’u shërbejnë biznesit privat, por edhe çështja e abonesë së studentit është problem më vete.
Sipas një konstatimi të Qëndresës Qytetare thuhet se vetëm 20% e studentëve përfitojnë abonenë me çmim të reduktuar (600 lekë) , ndërsa 80% e studentëve të tjerë e blejnë si qytetarët (1600 lekë). Bashkia e Tiranës shpërndan në muaj për të gjitha linjat e qytetit 13,904 abone studenti ndërkohë që sipas Institutit të Statistikave në kryeqytet studiojnë 59,765 studentë në universitetet publike dhe rreth 9,000 në privat.
Po me pjesën e studentëve që mbeten pa e përfituar këtë shërbim si i bëhet?
Përpara se karta e studentit të shpëndahej, aboneja e studentit ka ekzistuar dhe ishte rrallë të blije një të tillë. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak marrë më 30 dhejtor 2015 dhe udhëzimit të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës të vitit 2017, studentët e përfitojnë abonenë më çmimin prej 600 lekësh. Gjatë këtyre dy viteve, nga 2017 deri më 2019, aboneja e studentit është shitur në çdo lloj mënyre, sepse mungonte mjeti identifikues, mjaftonte që ti të njihje një fatorino apo ndonjë që shiste abonetë dhe ja ku u bëre student. Kjo abone në tregun e zi në këtë periudhë nuk kushtonte 600 lekë por 800 lekë dhe ndodhte që të rastisje gjyshin tënd në autobus duke zhvilluar një debat konstruktiv me fatorinon duke i shpjeguar që edhe ai është student, ndërkohë ti qëndroje duke parë portofolin me abonenë 1600 lekë.
Përgjegjësia e radhës i kalohet Postës Shqiptare
Sikur të mos mjaftonte fakti që karta kaloi nga kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit tek bashkitë këtu na del një problem tjetër. Siç e thamë më lart, karta filloi të shpërndahej në maj të 2019-tës. Pra, maksimumi deri në fund të qershorit të gjithë studentët e universtitetit të Tiranës ishin pajisur me të, çka do të thotë se kishte mbaruar si proces për studentët aktual. Por në faqen zyrtare të postës shqiptare gjejme një postim të datës 12 shtator të 2019, ku thuhet se posta do të merret me shpërndarjen e kartës falas, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet. Këtu ndalojmë pak. Nga kompetencë e Ministrisë kaloi te Bashkia dhe tani na del edhe Posta. Me aq sa arrijmë të kuptojmë për studentët e rinj, pra vitet e para të vitit akademik 2019-2020 do të pajisen me kartën studentore nga Posta Shqiptare. Ajo që vihet re qartë është se karta po kalohet dhe pasohet dorë më dorë nga njëri institucion në tjetrin.
Si përfundim, ajo që mund të themi me bindje është se studentët e pajisur me këtë kartë nuk bëjnë ndonjë veçim të madh nga ata që nuk e kanë. Karta vazhdon të ngelet një problem i madh dhe studentët vazhdojnë të mos t'i përfitojnë shërbimet e nevojshme.
“NUK JEMI KAVIE EKSPERIMENTALE” ishte kjo fjalia që dëgjohej në britmat e maturantëve në protestën e tetorit të vitit 2016.
Çfarë e shkaktoi këtë protestë? Si ishin maturantët dje dhe si janë sot?
Çfarë proçesi duhet të kaloj një maturant drejt të ardhmes së tij?
Këto janë disa nga pyetjet e shtruara në realizimin e këtij artikulli.